Friday, November 23, 2007

Shoqëria Politike…dhe Albin Kurti

Shoqëria civile dhe ajo politike në Kosovë, ndahen nga një hëndek, sa i madh, aq edhe i rrezikshëm, për tu kaluar (nga individë të shoqërisë civile).
Duke qenë se, shoqëria është vetëm një koncept mendor, dhe se në realitet ekzistojnë vetëm individët dhe grupet rreth këtyre individëve, atëherë dalim në një përfundim jo edhe aq shpresëdhënës.

Albin Kurti është një nga të paktët individë që është munduar ta përfaqësojë, në mënyrë të denjë, shoqërinë civile kosovare. Ai është duke u përpjekur maksimalisht, që ti artikulojë kërkesat dhe nevojat imediate të shoqërisë sonë civile, nevoja dhe kërkesa legjitime dhe të justifikueshme.

Tjetër objektiv i tij dhe organizimit që ai udhëheqë, është edhe demaskimi dhe kundërshtimi i politikave që e dëmtojnë të ardhmen tone, e që përfaqësohen nga klasa politike kosovare-ndërkombëtare.

Kontributi i perendimit në kosovë është i padiskutueshëm, por ne jemi dëshmitarë të aplikimit të shumë politikave të dëmshme nga individë të ndryshëm, brenda këtij organizimi, politika këto që e dëmtojnë shoqërinë tone, e që ndiqen edhe nga disa grupe partiake kosovare, (kuptohet, me qëllim të përfitimit material dhe karrierist).

Koncepti i “Vetëvendosjes” është një koncept i aplikuar nga shumë organizata dhe organizma civil të botës perendimore. Mirëpo, në Kosovë ekzistojnë njerëz kompetentë që nuk posedojnë ndonjë parim moral, gjë kjo që pasqyrohet edhe në institucionet që i udhëheqin.

Sipas logjikës dhe konceptit politik që aplikohet në Kosovë, Albin Kurti duhet të burgoset dhe të ndëshkohet; duhet të ndëshkohen edhe të rinjtë dhe intelektualët që e kundërshtojnë aparatin e brishtë dhe qesharak, e që politikanët tone e quajnë shtet; duhet të krijohen edhe situata të papranueshme nëpër rrugët e kosovës, situata këto ku cenohet rëndë liria e individit, por edhe keqpërdoret autoriteti I SHPK-së, gjë kjo që e dëmton rëndë imazhin, edhe ashtu shumë të dyshimtë, të aparatit të sigurisë sonë.

Sipas konceptit të shoqërisë civile demokratike, Albin Kurti duhet të lirohet menjëherë nga burgu dhe presioni i vazhdueshëm që po i bëhet; duhet të merret shumë seriozisht aktiviteti i tij dhe të përkrahet në shumicën e veprimeve të tij; duhet ta kemi të qartë se askush nuk guxon dhe nuk ka të drejtë ti shkelë të drejtat tona, as si individ dhe as si shoqëri.

Njerëzit si Albini mund të bëjnë ndryshime pozitive dhe ta shtyjnë shoqërinë në bërjen e hapave që kërkojnë guxim, përndryshe, ankesat e shprehura në nivel kafenesh nuk do ta prekin ndërgjegjen e individëve të pamoralshëm, e që fshihen prapa posteve dhe benificioneve të jashtëzakonshme të “aparatit shtetëror”.

Shkëlqim Veselaj